Pergjegjesia Penale e Personave Juridike [PDF]

PERGJEGJESIA PENALE E PERSONAVE JURIDIKE Ndër institutet më të reja të së drejtës penale jo vetëm shqiptare, por edhe t

29 0 255KB

Report DMCA / Copyright

DOWNLOAD PDF FILE

Pergjegjesia Penale e Personave Juridike [PDF]

  • 0 0 0
  • Gefällt Ihnen dieses papier und der download? Sie können Ihre eigene PDF-Datei in wenigen Minuten kostenlos online veröffentlichen! Anmelden
Datei wird geladen, bitte warten...
Zitiervorschau

PERGJEGJESIA PENALE E PERSONAVE JURIDIKE

Ndër institutet më të reja të së drejtës penale jo vetëm shqiptare, por edhe të së drejtës penale ndërkombëtare, është njohja e përgjegjësisë penale të personave juridikë. Në pranimin e këtij koncepti kanë ndikuar disa faktorë, por arsyeja kryesore që i dha hovin këtij zhvillimi, ishte gjendja kriminalogjike e cila është pothuaj e njëjtë në të gjitha vendet industrialiste. Përhapja e kriminalitetit të shoqërive tregtare, e krimit ekonomik dhe e krimit të jakave të bardha, nxori në dukje pamjaftueshmërinë e mjeteve klasike në lidhje me subjektet e veprës penale dhe nisi rrugën e pranimit të procesit penal në ngarkim të personit juridik. Një faktor tjetër nxitës në pranimin e përgjegjësisë penale të personave juridikë ishte dhe përfshirja gjithnjë e më tepër e personave juridikë në sferën ekonomike dhe politike të çdo vendi.Po kështu roli i shoqërive tregtare në ekonomi është gjithnjë në rritje dhe mjetet ekonomike që ata kanë në dispozicion u krijojnë atyre mundësinë të shkaktojnë shkeljet më të rënda dhe me pasojat më të rënda për shoqërinë. Përveç sa më sipër, një tregues i rrezikshmërisë së lartë të personit juridik është edhe praktika ndërkombëtare, e cila ka treguar raste ku ndjekja penale e personit juridik ka qenë shumë e nevojshme. Një tjetër faktor që ka ndikuar në pranimin e konceptit të përgjegjësisë penale të personit juridik është dhe procesi i globalizimit dhe rritja e ndërvarësisë në aktivitetet ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të shoqërive tregtare e cila kërkon një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar midis shteteve. Pra siç shihet, në pranimin e përgjegjësisë penale të personave juridikë kanë ndikuar një sërë faktorësh, si në nivelin kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Ishin këta faktorë që nxitën nevojën e njohjes së personit juridik jo vetëm si subjekt pasiv, por edhe si subjekt aktiv të veprës penale. 1. Personi juridik sipas legjislacionit shqiptar. Në kushtet kur ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” nuk jep një përkufizim për pesonat juridikë, është e nevojshme t’i referohemi legjislacionit civil, i cili e parashikon personin juridik si subjekt të së drejtës. Në nenin 24 të Kodit Civil, pavarësisht se nuk na është dhënë një përkufizim i personit juridik, bëhet një kategorizim i tyre në persona juridikë publikë dhe privatë. Konkretisht, sipas Kodit Civil, persona juridikë publikë janë: institucionet e ndërmarrjet shtetërore që financohen vetë ose nga buxheti i shtetit, si dhe entet e tjera publike të njohura nga ligji si person juridik. Ndërkohë që si persona juridikë privatë janë shoqëritë, shoqatat, fondacionetdhe entet e tjera me karakter privat, të cilat e fitojnë personalitetin juridik në mënyrën e caktuar nga ligji.Teoria e të drejtës penale njeh si subjekt të së drejtës penale subjektin aktiv dhe subjektin pasiv. Subjekti aktiv i veprës penale është personi i cili me veprime aktive ose mosveprime ka konsumuar një vepër penale, ndërkohë që si subjekt pasiv i veprës penale konsiderohet personi i cili është dëmtuar nga vepra penale. Legjislacioni penal shqiptar e ka njohur gjithmonë personin juridik si subjekt pasiv të veprës penale, por si subjekt aktiv e ka

njohur për herë të parë me ligjin Nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, neni 45, i cili u shfuqizua me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2001. Megjithatë, që prej vitit 2004 me ndryshimet e Kodit Penal, personi juridik njihet jo vetëm si subjekt pasiv por edhe si subjekt aktiv i veprës penale. Përveç dispozitës së mësipërme, legjislacioni penal për personat juridikë, u zgjerua më tej me ligjin Nr.9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” , i cili ka parashikuar sanksionet penale që mund të aplikohen ndaj personave juridikë në një procedim penal si dhe dispozitat procedurale të shqyrtimit të çështjes.Që të mund të kuptojmë sa më mirë përgjegjësinë penale të personave juridikë, pra personat juridikë si subjekte aktivë të veprës penale, në radhë të parë është e nevojshme të përcaktohet rrethi i personave juridikë që kanë përgjegjësi penale. Sipas legjislacionit tonë, jo çdo person juridik, i njohur si i tillë nga legjislacioni shqiptar, ka përgjegjësi penale. Më lart u trajtuan cilët janë persona juridikë, të cilët sipas Kodit Civil ndahen në: persona juridikë privatë, ku bën pjesë: shoqëritë, shoqatat, fondacionet dhe entet e tjera me karakter privat, dhe persona juridikë publikë ku bën pjesë: institucionet shtetërore, ndërmarrjet shtetërore që financohen vetë ose nga buxheti i shtetit dhe entet publike. Neni 45 i Kodit Penal, i cili përbën gurin e themelit për njohjen e përgjegjësisë penale të personave juridikë në Shqipëri, parashikon: “Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre”. Nga dispozita e mësipërme kuptohet se nga të gjithë personat juridikë të parashikuar nga legjislacioni shqiptar, vetëm institucionet shtetërore nuk kanë përgjegjësi penale. Pra përjashtimi nga përgjegjësia penale, imuniteti ndaj ndjekjes penale, njihet vetëm për një nga personat juridikë publikë, institucionin shtetëror, ndërkohë që për të tjerët, pra personat juridikë privatë, ndërmarrjet shtetërore dhe entet publike pranohet përgjegjësia penale. Ky parashikim i Kodit Penal ka kuptim, pasi nuk do të kishte sens që shteti, i cili gëzon monopolin e dënimit të shkelësve të ligjit, të dënonte veten e tij. Siç shihet, rrethi i personave juridikë si subjekte të të drejtës penale është më i ngushtë nga rrethi i personave juridikë si subjekte të së drejtës, të parashikuar nga legjislacioni civil. Për të qenë më të saktë, me këtë përjashtim të Kodit Penal, është e nevojshme të trajtohet cilët janë institucionet shtetërore, sipas legjislacionit tonë. Pavarësisht këtij imuniteti të institucioneve shtetërore nga përgjegjësia penale, Kodi Penal, në paragrafin tjetër të nenit 45, ka bërë një përjashtim, duke parashikuar përgjegjësinë penale të njësive të qeverisjes vendore, të cilat janë institucione shtetërore, me kompetenca vendore. Konkretisht, Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 45/2 të tij parashikon: “Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike”. Po cilat janë njësitë e qeverisjes vendore sipas legjislacionit shqiptarë ? Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë njeh si njësi të qeverisjes vendore bashkinë dhe komunën. Po kështu në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” parashikohet se komuna dhe bashkia janë njësitë bazë të qeverisjes vendore, ndërkohë që qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes

vendore. Njësitë e qeverisjes vendore janë institucione shtetërore, por që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre shtetërore brenda një territori të caktuar, pra janë institucione shtetërore me kompetenca vendore. Sa më sipër, është me vend të kuptohet se në cilat raste pranohet përgjegjësia penale e këtyre institucioneve vendoreë Duke iu referuar edhe njëherë nenit 45 të Kodit Penal, kuptohet se sipas kësaj dispozite, njësitë e qeverisjes vendore kanë përgjegjësi penale vetëm për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike.Sa më sipër, me paragrafin 3 të nenit 45 të Kodit Penal, kuptohet se njësitë e qeverisjes vendore, pavarësisht se janë institucione shtetërore, bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm i imunitetit për përgjegjësi penale të institucioneve shtetërore, në rastet kur vepra penale ka ardhur si rezultat i veprimeve të rrjedhura prej delegimit të shërbimit publik nga njësia e qeverisjes vendore te një person juridik publik ose privat. Gjithsesi, përgjegjësia penale e njësive të qeverisjes vendore është mjaft e kufizuar, pasi ajo përqendrohet vetëm për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të kompetencave të deleguara në lidhje me shërbimet publike dhe jo për çfarëdolloj kompetence. Përveç kufizimit të mësipërm, për përgjegjësinë penale të njësive të qeverisjes vendore ka edhe kufizime në aplikimin e dënimit, pasi ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” thekson se jo çdo dënim penal, i parashikuar nga ky ligj, mund të aplikohet ndaj njësive të qeverisjes vendore.Kriteret e pranimit të përgjegjësisë penale të personit juridik Që një person juridik të ketë përgjegjësi penale për një vepër penale, duhet të plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 3 i ligjit “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, i cili parashikon: Personi juridik ka përgjegjësi për vepra penale të kryera: a. Në emër ose në dobi të tij, nga organet dhe përfaqësuesit e tij; b. Në emër ose në dobi të tij, nga një person, që është nën autoritetin e personit që përfaqëson, drejton dhe administron personin juridik; c. Në emër ose në dobi të tij, për shkak të mungesës së kontrollit apo të mbikëqyrjes nga personi që drejton, përfaqëson dhe administron personin juridik. Pavarësisht se në këtë dispozitë nuk është thënë shprehimisht, legjislatori aty ka përcaktuar kriteret që duhet të ekzistojnë në mënyrë që personi juridik të ketë përgjegjësi penale. Konkretisht, duke u bazuar në parashikimet e dispozitës së mësipërme, kriteret për pranimin e përgjegjësisë penale të personave juridikë, i klasifikon në dy grupe, dhe konkretisht: • Rrethi i personave fizikë, për veprimet e të cilëve personi juridik do të mbaje përgjegjësi penale; • Kryerja e veprës penale në emër ose në dobi të personit juridik. Më poshtë janë trajtuar me radhë këto dy kritere. Ajo që duhet theksuar paraprakisht, është fakti se këto dy kritere janë shumë të rëndësishëm dhe duhet të plotësohen të dy njëkohësisht. Mjafton mungesa e njërit prej tyre dhe personi juridik do të përjashtohej nga përgjegjësia penale. • Rrethi i personave fizikë, për veprimet e të cilëve, personi juridik mban përgjegjësi penale. Kriteri i parë, i parashikuar nga neni 3 i ligjit “Për përgjegjësinë penale të personit juridik” është rrethi i personave fizikë, për veprimet e të cilëve ngarkohet me përgjegjësi penale edhe personi juridik. Rrethi i subjekteve që kryejnë veprën penale për personin juridik përbëhet nga dy nivele dhe

konkretisht: • subjektet e vendosura në majë të personit juridik ku përfshihen kategoria e punonjësve me funksione përfaqësuese, administrimi ose drejtimi dhe, • persona që janë nën autoritetin e personit që përfaqëson, drejton dhe administron personin juridik, pra punonjësit e nivelit ekzekutiv. Në kategorinë e funksionarëve të lartë të personit juridik përfshihen të gjitha subjektet që shprehin vullnetin dhe politikën e personit juridik. Për sa i përket kategorisë tjetër të subjekteve, pra personat që janë nën autoritetin e personit që përfaqëson, jo pa qëllim është parashikuar, pasi shpesh mund të synohet që përgjegjësia të shkarkohet në nivelet e ulëta të punonjësve. Në këtë kategori duhet të përfshihen edhe subjektet jashtë personit juridik, që kryejnë funksione të ndryshme për shoqërinë nën drejtimin dhe kontrollin e autoriteteve drejtuese të personit juridik dhe jo vetëm punonjësi e personit juridik.Ngarkimi i personit juridik me përgjegjësi penale edhe për veprimet e punonjësve të nivelit ekzekutiv është domosdoshmëri në kushtet kur shpesh personat juridikë, në rastet e kryerjes së një vepre penale, që të përjashtojnë veten nga përgjegjësia penale, ngrenë pretendimin se vepra penale është kryer nga punonjësit e tyre, të cilët kanë shkelur rregullat dhe urdhrat e vendosura nga personi juridik. Në lidhje me këtë pretendim, nuk mjafton vetëm vendosja e rregullave për punonjësit nga personi juridik, të detyrueshme për t’u zbatuar gjatë përmbushjes së detyrave të tyre. Përveç detyrimit të personit juridik për të vendosur këto rregulla, është e nevojshme që ato të jenë efektive për të parandaluar dhe zbuluar shkeljet e punonjësve dhe për më tepër të vërtetohet nëse drejtuesit e personit juridik po e imponojnë zbatimin e këtyre rregullave apo në mënyrë të heshtur bëjnë presion tek punëtorët që të veprojnë në mënyrë jo të rregullt me qëllim që të arrijnë objektivat e biznesit. Pikërisht, pushteti që ka një person juridik për të kontrolluar veprimet e punonjësve të tij është parashikuar si rast i përgjegjësisë penale të personit juridik, nga neni 3/c i ligjit “Për përgjegjësinë penale të personit juridik”, i cili parashikon: Personi juridik ka përgjegjësi për vepra penale të kryera: në emër ose në dobi të tij, për shkak të mungesës së kontrollit apo të mbikëqyrjes nga personi që drejton, përfaqëson dhe administron personin juridik. • Kriteri i kryerjes së veprës penale “në emër” ose “në dobi” të personit juridik. Kriteri i dytë që duhet të plotësohet, në mënyrë që personi juridik të përgjigjet penalisht, është që vepra penale të jetë kryer në dobi ose në emër të personit juridik. Që të mund të përcaktohet përgjegjësia penale e personit juridik është e nevojshme pikërisht të vërtetohet njëri nga këto dy kushte, pra që vepra penale të jetë kryer: në emër ose në dobi të personit juridik. Por çfarë do të kuptohet me këto termaë Për t’i kthyer përgjigje kësaj pyetjeje, lind nevoja t’i referohemi teorisë të së drejtës, konkretisht institutit të së drejtës civile, atij të përfaqësimit ku është përdorur koncepti i kryerjes së veprimeve “në emër” ose “për llogari”. • Kryerja e veprës penale “në emër “ të personit juridik Që një veprim juridik të kryhet në emër të një personi tjetër, së pari duhet që personi të jetë i pajisur me një tagër përfaqësimi, ku tregohet se ai po vepron në emër të një personi tjetër. Nga sa më sipër, është normale të ngrihet pyetja se si mund të krahasohet doktrina e të drejtës civile me atë të së drejtës penale. Por në të vërtetë lidhja midis tyre është shumë e ngushtë pasi edhe vetë

personi juridik, rregullohet si subjekt i së drejtës, pikërisht nga legjislacioni civil. Po kështu edhe rregullat dhe veprimtaria e personit juridik rregullohet sipas dispozitave të legjislacionit civil. Kështu nuk duhet harruar se rrethi i subjekteve që kryejnë vepra penale për personin juridik, janë vetë punonjësit e personit juridik, të niveleve drejtuese ose të nivelit ekzekutues, të cilët kanë nënshkruar një kontratë, e cila mund të jetë kontratë pune ose edhe përfaqësimi me personin juridik, për kryerjen e disa veprimtarive të caktuara. Sa më sipër, punonjësit e personit juridik, të cilët e kryejnë veprën penale ndërkohë që po kryejnë një nga veprimtaritë e tyre, të cilat u janë caktuar nga personi juridik, po kryejnë një vepër penale në emër të personit juridik.Kështu qëndrimi i mbajtur në teorinë e së drejtës civile se: në çastin e kryerjes së veprimit juridik në emër të të përfaqësuarit, edhe pasojat juridike, domethënë të drejtat dhe detyrimet që lindin nga ky veprim juridik që kryen përfaqësuesi nuk i përkasin përfaqësuesit, por të përfaqësuarit, do të gjejnë zbatim edhe në të drejtën penale kur themi se personi juridik nuk do të përfitojë vetëm përfitimet nga vepra penale, por edhe detyrimet, konkretisht përgjegjësinë penale dhe pasojat e dënimit penal. Gjithsesi duhet theksuar se vepra penale quhet e kryer në emër të personit juridik, për sa kohë që punonjësi po kryente një punë në emër të personit juridik, dhe jo një punë të tij personale. • Kryerja e veprës penale “në dobi” të personit juridik Kryerja e veprës penale “në dobi” të personit juridik, është alternativa tjetër që ngarkon personin juridik me përgjegjësi penale. Përveç konceptit të kryerjes së veprimeve “në emër”, instituti i përfaqësimit njeh dhe një tjetër koncept që është kryerja e veprimit juridik “për llogari” të të përfaqësuarit. Shprehja “për llogari” do të thotë se i gjithë rezultati ekonomik dhe juridik i veprimit që kryhet, i përket personit të përfaqësuar, pavarësisht nga fakti se cilat janë mjetet e shpenzuara për këtë qëllim. I njëjti arsyetim vlen edhe për kriterin tjetër që parashikohet nga ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, kryerja e veprës penale “në dobi” të personit juridik. Pra, nga sa më sipër do të kuptohet se pavarësisht se një nga subjektet fizikë, të përmendura më lart, nuk po vepron në emër të personit juridik, nëse vërtetohet se vepra penale është kryer në mënyrë që personi juridik të realizonte një përfitim prej saj, i cili mund të jetë ekonomik ose jo, personi juridik do të mbajë përgjegjësi penale. Në përfundim të kësaj pjese, mund të themi me siguri se: që personi juridik të ketë përgjegjësi penale, duhet të plotësohen njëkohësisht të dy kriteret, pra: 1. Vepra penale të jetë kryer nga rrethi i personave fizikë të përmendur më lart. 2. Vepra penale të jetë kryer “në emër” ose “në dobi” të personit juridik. Mjafton mungesa e njërit nga këto kritere dhe personi juridik përjashtohet nga përgjegjësia penale. Megjithatë, në rast se përmbushen këto kritere, që personi juridik të ngarkohet me përgjegjësi penale, nuk është e nevojshme që prokurori të vërtetojë dijeninë e bordit ose të organeve drejtuese të personit juridik për veprën penale. Mjafton që ajo të jetë kryer nga një punonjës i saj në emër ose në dobi të personit juridik, dhe personi juridik do të përgjigjet penalisht. Një arsye përse bëhet kjo gjë është që t’i nxitë personat juridikë që të marrin masa për të frenuar punonjësit e tyre të kryejnë veprime të kundërligjshme.

2. Qëllimi i dënimit penal të personit juridik.

Pranimi i përgjegjësisë penale të personit juridik dhe të dënimit të tij ka kaluar shumë kundërshtime, dhe një ndër pyetjet që shtrohej më shpesh nga kundërshtarët e kësaj risie në të drejtën penale ishte:Përse duhet dënuar penalisht një person juridikë A nuk është i mjaftueshëm dënimi i tij në rrugë administrative. Me qëllim sqarimin e këtyre pyetjeve është e nevojshme të trajtojmë shkurtimisht konceptin dhe dallimet ndërmjet përgjegjësisë penale dhe asaj administrative. Per të krijuar një përfytyrim më të plotë, është e nevojshme të trajtohet kuptimi i përgjithshëm i këtyre dy koncepteve. • Përgjegjësia penale. Në lidhje me përgjegjësinë penale nuk është dhënë një përkufizim se çfarë do të kuptohet me këtë koncept si në legjislacion ashtu dhe në teorinë e të drejtës penale. Pavarësisht kësaj mungese, një gjë është e sigurt se përgjegjësia penale rrjedh si rezultat i veprimeve të rrezikshme, të kundërligjshme e të kryera me faj, të cilat sipas legjislacionit penal konsiderohen si vepra penale, të kryera nga persona penalisht përgjegjës. Në Kodin Penal janë parashikuar si subjekte të procedimit penal personat juridikë dhe personat fizikë. Pikërisht nga sa më sipër çdo pasojë që rrjedh nga procedimi penal dhe efektet e tij, vlejnë si për personin fizik ashtu dhe për personin juridik, të cilat janë subjekt i së drejtës penale. Prandaj argumentet e përmendura më poshtë, në lidhje me përgjegjësinë penale, vlejnë dhe për personin juridik. • Përgjegjësia administrative Përgjegjësia administrative, nga teoria e të drejtës administrative, përkufizohet si: “veprimet ose mosveprimet e kundërligjshme, të kryera me faj dhe nga persona të përgjegjshëm, për të cilën, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore të vogël është caktuar dënim administrativ”. Pikërisht si rezultat i një shkelje të konsideruar nga legjislacioni si administrative, rrjedh dhe ajo që quhet përgjegjësi administrative.Pasi u identifikua kuptimi i secilës nga përgjegjësitë, për qëllimin e këtij punimi, më poshtë po evidentoj dallimet që ka përgjegjësia administrative nga përgjegjësia penale dhe faktin se përse përgjegjësia penale nuk mund të zëvendësohet nga ajo administrative. • Rrezikshmëria shoqërore e veprës është kriteri i parë që dallon përgjegjësinë administrative nga ajo penale. Siç del dhe nga përkufizimi i dhënë më lart për përgjegjësinë administrative, ku ndër të tjera thuhet: ”… për shkak të rrezikshmërisë shoqërore të vogël është caktuar dënim administrativ”, kuptohet se dënimi penal zbatohet vetëm për veprime me rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj edhe sanksionet penale janë të tilla, në mënyrë që të justifikojnë rrezikshmërinë e veprës. Pra, dallimi kryesor midis përgjegjësisë administrative nga ajo penale është pikërisht rrezikshmëria shoqërore e veprimit të kundërligjshëm. është kjo rrezikshmëri shoqërore që bën që marrëdhëniet juridike të mbrohen me anë të Kodit Penal, si një ligj i cili ka parashikuar sanksione që janë në proporcion me rrezikshmërinë e veprës. Pikërisht kjo rrezikshmëri e lartë shoqërore dikton nevojën e mbrojtjes posaçërisht nga legjislacioni penal dhe pamjaftueshmërinë e masave administrative. Kriteri i rrezikshmërisë shoqërore të veprës, vlen dhe për dallimin e përgjegjësisë civile nga ajo penale. Në këtë përfundim arrihet duke u mbështetur në faktin se përgjegjësia penale shpesh rrjedh dhe nga marrëdhëniet juridiko-civile. I tillë mund të jetë rast i shkaktimit të dëmit nga pakujdesia ndërkohë që një subjekt po përmbush një detyrim kontraktor. Sa më sipër, trajtohet në një nga rastet e praktikës shqiptare.Pranë

Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Albtelekom SHA, ka bërë kallëzim penal kundër shoqërisë tregtare “X” SHPK e cila kishte marrë përsipër punimet për rikonstruksionin e rrugës “Lord Bajron” me segmentin nga Zogu i Zi deri në kryqëzimin e Laprakës në njërin krah të rrugës. Gjatë punimeve, shoqëria tregtare “X” nga pakujdesia ka shkaktuar disa dëmtime të cilat u konsideruan si të lehta në segmentin e kabllove të Albtelekomit.Në këtë rast Prokuroria me të drejtë vendosi pushimin e çështjes pasi fakti nuk përbën vepër penale për arsye se që të konsiderohet e konsumuar vepra penale e “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga neni 161 i Kodit Penal, kërkohet pasoja e rëndë materiale. Duke qenë se dëmi është konsideruar i lehtë, personi juridik nuk mund të dënohet penalisht pasi rrezikshmëria shoqërore e faktit nuk është e tillë sa të parashikohet nga legjislacioni penal si vepër penale. Në këto kushte, në rastin e mësipërm mjafton një sanksion civil. Nga shembulli i mësipërm mbështetet qëndrimi se është pikërisht rrezikshmëria e veprës, kriteri kryesor që përcakton nevojën e zbatimit të një dënimi penal në vend të një dënimi administrativ apo civil. • Dënimi është një kriter tjetër i dallimit midis përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Masa e dënimit që parashikohet për shkeljet administrative është më e ulët se sa masa e dënimit penal. Kjo është e tillë për shkak të rrezikshmërisë së ulët shoqërore të shkeljeve administrative. Prandaj, për shkak të masës së ulët të dënimit për kundërvajtjet administrative, në rastin e personit juridik, krahas efekteve te tjera nuk do të sillte sensibilizimin e mjaftueshëm në komunitet. Dënimi administrativ, për vetë karakterin e tij, nuk mund t’i përmbushë të gjitha qëllimet e dënimit penal të cilat janë: ndëshkimi, parandalimi (i përgjithshëm dhe i posaçëm) dhe edukimi. Pra lloji dhe masa e dënimit, është dallimi tjetër i rëndësishëm, i cili çon në përfundimin se dënimi administrativ nuk mund të zëvendësojë një dënim penal. • Procedura përbën një dallim të rëndësishëm midis procedimit penal dhe atij administrativ. Marrja në përgjegjësi penale e personit fizik apo juridik ka rëndësi të madhe politike, shoqërore e juridike, sepse lidhet me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Për këtë arsye në procedimin penal i kushtohet rëndësi zbatimit të procedurave sipas standardeve të pranuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.Për të përforcuar rëndësinë e zbatimit të procedurave në një procedim penal, po i referohem një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në çështjen e Shoqërisë tregtare “Stenuit v France”, në të cilën është mbajtur qëndrimi se: “njëgjobë e një shume prej 50.000 Franga Franceze do të konsiderohet si me natyrë penale. Kjo gjë specifikohet për vetë faktin se gjobat e një mase të madhe sa të mund të konsiderohen si penale duhet t’i nënshtrohen edhe të gjitha garancive procedurale të parashikuara nga legjislacioni penal. Pra sa më i rëndë sanksioni aq më të mëdha dhe garancitë procedurale për të pandehurin”.Si përfundim, siç rezulton nga teoria e së drejtës penale, dënimi penal ka disa qëllime kryesore: ndëshkimin, parandalimin (i përgjithshëm ose i posaçëm) dhe edukimin. Pavarësisht në se dënohet një person fizik ose juridik qëllimet e dënimit penal janë po ato dhe nuk mund të zëvendësohen me alternativa të tjera, qofshin këto administrative apo civile. Duke patur parasysh rëndësinë që luajnë personat juridikë në ditët e sotme dhe faktin se zotërojnë mjetet dhe mundësitë për të kryer vepra penale, është e nevojshme të pranohet përgjegjësia penale e personave juridikë dhe dënimi i tyre me sanksione penale.Një tjetër moment i rëndësishëm, i cili ka rëndësi studimore dhe praktike të trajtohet, është:Në kushtet e dënimit të një personi fizik, pse duhen shtrirë efektet edhe te personi juridikë Përgjegjësia e individit, e një agjenti të personit juridik, nuk mund të mbrojë komunitetin nga

dëmet që mund të shkaktohen nga veprat penale të kryera në emër ose në dobi të personit juridik, pasi ata mund të përdorin strategjinë e “ndryshimit të menaxherëve”. Personi juridik ka fuqinë ekonomike sa të mund të paguajë menaxherët për rrezikun që ata ndërmarrin si dhe t’u sigurojë atyre mbështetje ligjore dhe financiare në rastin e ndonjë procedimi gjyqësor ndaj tyre. Në këto kushte lind nevoja e parashikimit të dënimeve dhe për personat juridikë. Për të mbështetur sa më sipër, më poshtë janë parashtruar disa argumente që përforcojnë domosdoshmërinë e dënimit penal jo vetëm të personave fizikë, por edhe të personave juridikë. • Dënimi penal i personit juridik ka një impakt më të madh te publiku se sa dënimi I punonjësit të tij, i cili në fund të fundit e ka kryer shkeljen në emër apo në interes të personit juridik. Faktori kryesor që ndikon në parandalimin e përgjithshëm, pra parandalimin e personave të tjerë juridikë të kryejnë një vepër penale, është impakti te publiku. • Një tjetër argument që njeh domosdoshmërinë e dënimit të personit juridik, është fakti se dënimi penalisht vetëm i punonjësit të personit juridik, nuk përmbush plotësisht qëllimet e dënimit penal dhe sidomos atë të parandalimit të posaçëm. Në këtë përfundim arrihet duke patur parasysh se në rast dënimi të një individi, personi juridik, i cili ka përfituar nga vepra penale, do e zëvendësojë punonjësin e dënuar me një punonjës tjetër. Ky i fundit mund të vazhdojë të kryejë shkelje, pasi e tillë është politika që ndjek personi juridik. Pra, në rast se do të pranonim vetëm dënimin e personit fizik, personi juridik, nuk do të cenohej aspak nga dënimi dhe qëllimi i tij, pasi nuk është ai që e ka vuajtur dënimin, por një person fizik, veprimet e të cilit në dallim nga ato të kryera nga një person juridik, do të mund të krahasoheshin me një “pikë uji në oqean”.Përgjegjësia penale e personave juridikë mund të sjellë efekte në dy drejtime: Së pari: ndjekja penale e një personi juridik do të frenojë sjelljen e njëjtë për personat e tjerë juridikë, pra parandalimi i përgjithshëm. Së dyti: alternativat e dënimit të personit juridik si p.sh vënia në provë, gjatë së cilës personi juridik duhet të implementojë një plan efektiv dhe të pëlqyeshëm, çon në ndryshime brenda vetë personit juridik, ky është parandalimi i posaçëm. Si përfundim dënimi penal i personave juridikë është një mjet i domosdoshëm ligjor për të luftuar dhe parandaluar veprimet e kundërligjshme dhe shoqërisht të rrezikshme, të kryera nga personat juridikë si subjekte të së drejtës. Personat juridikë i zotërojnë të gjitha mjetet e nevojshme për të kryer një vepër penale, njësoj si personat fizikë. Në kushtet kur, si personi juridik ashtu edhe personi fizik janë subjekte të së drejtës dhe i kanë mjetet dhe mekanizmat e nevojshme të kryejnë një vepër penale, nuk ka pse të bëhet një diferencim midis pranimit të përgjegjësisë penale të tyre. Përveç sa më sipër, duhet patur parasysh dhe fakti se nuk mundet, që një person që ka kryer një vepër penale, të përgjigjet administrativisht apo civilisht për veprimet e tij, kur përgjegjësia penale mbron marrëdhënie juridike të ndryshme nga ato që mbron përgjegjësia administrative dhe ajo civile

3. Llojet e dënimeve penale të parashikuara për personin juridik Ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” i klasifikon dënimet e personit juridik në: dënime kryesore dhe dënime plotësuese. Si dënime kryesore parashikohen gjoba dhe mbarimi i

personit juridik, ndërsa si dënime plotësuese, në nenin 10 të ligjit, parashikohen mbyllja e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik, vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar, ndalimi për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike, heqja e së drejtës së marrjes ose përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve ose subvencioneve, ndalimi për të kërkuar publikisht fonde dhe burime financiare, heqja e së drejtës së ushtrimit të një apo më shumë veprimtarive ose operacioneve dhe detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor. Përveç sa më sipër nuk përjashtohet mundësia që gjykata të aplikojë dhe dënimin plotësues të parashikuar nga neni 36 i Kodit Penal, për konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale.Ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, bën një diferencim mbi llojet e dënimeve penale që mund të aplikohen ndaj personave juridikë publikë dhe personave juridikë privatë. Kështu në nenet 9 dhe 10 të tij parashikohet se ndaj njësive të qeverisjes vendore mund të aplikohet vetëm dënimi me: gjobë, ndalimi për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike, heqja e së drejtës së marrjes ose përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve ose subvencioneve dhe detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor. Po i njëjti kufizim, në dënimet e mundshme për t’u aplikuar, vlen dhe për personat e tjerë juridikë publikë, partitë politike dhe sindikatat.Më poshtë janë trajtuar më gjerësisht dy dënimet kryesore, konkretisht: dënimi me gjobë dhe mbarimi i personit juridik, ku janë evidentuar problematikat e këtyre dënimeve të shoqëruara dhe me propozime për zgjidhje të mundshme në situata konfuze, duke marrë shkas nga problemet që ka nxjerrë praktika e vendeve të tjera që kanë zbatuar këto dënime.

- Dënimi me gjobë

Gjoba është një nga dy dënimet kryesore të parashikuara si dënim penal ndaj personit juridik i cili mund të përkufizohet si pagimi në favor të shtetit të një shume të hollash brenda kufijve të përcaktuara nga ligji. Dënimi me gjobë, është dënimi që ka gjetur zbatim më të gjerë në praktikën e shteteve të tjera të cilat e kanë aplikuar shumë më parë nga vendi ynë përgjegjësinë penale të personave juridikë. Duke iu referuar ligjit “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” shohim se dënimi me gjobë është parashikuar si dënim kryesor si për krimet ashtu edhe për kundërvajtjet. Në nenin 11 të këtij ligji vihet re se dënimi me gjobë është përcaktuar në minimum dhe në maksimum, në varësi të rrezikshmërisë së veprës penale dhe konkretisht: • për kundërvajtjet masa e gjobës është në masën 300 mijë lekë deri në 1 milion lekë, • ndërkohë që për krimet dallohen tre nënnivele, duke u referuar rëndësisë së veprës penale të konsumuar, duke parashikuar: a) për krimet që, sipas Kodit Penal parashikohet një dënim, minimumi jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim ose burgim i përjetshëm, personi juridik dënohet me gjobë nga 25 milionë lekë deri në 50 milionë lekë; b) për krime që, sipas Kodit Penal parashikohet një dënim, minimumi jo më pak se shtatë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim, personi juridik dënohet me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 25 milionë lekë; c) për krime që, sipas Kodit Penal parashikohet një dënim, maksimumi më pak se shtatë vjet,

personi juridik dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë. Në varësi të minimumeve dhe të maksimumeve të parashikuar nga ligji, gjykata në individualizimin e dënimit, pra në caktimin e masës së gjobës për veprën penale konkrete do të mbajë parasysh karakterin e veprës penale e në veçanti të pasojës së ardhur. Ka mendime se gjoba nuk është shumë e rëndë si dënim dhe që nuk ka ndonjë impakt mbi personin juridik. Arsyeja e këtij qëndrimi është fakti se shoqëritë tregtare, si forma më e përhapur e personave juridikë, kanë si qëllim fitimin ekonomik dhe në rast dënimi të tij penal me gjobë mund t’i caktohet një masë dënimi më e vogël se sa ajo që ka përfituar nga vepra penale (duke patur parasysh dhe nivelin e gjobave penale) dhe si rrjedhojë të marrë përsipër riskun e dënimit. Rreziku që aplikimi i një dënimi me gjobë për personin juridik mund të mos ishte një parandalues i përshtatshëm, sidomos në shoqëritë tregtare, të cilat kanë fitime aq të mëdha, sa gjoba është e pakonsiderueshme për ta. Vërtet gjoba, si për personat fizikë dhe për personat juridikë mund të jetë e pakonsiderueshme. Gjithsesi nuk duhet harruar se shpesh për shoqëritë tregtare nuk është dhe aq shqetësuese masa e gjobës, sesa efekti i dënimit penal në reputacionin e shoqërisë tregtare përpara publikut të gjerë.Në caktimin e dënimit me gjobë, gjykata, midis të tjerave, duhet të përcaktojë dhe afatin e pagimit të gjobës. Duke iu referuar dispozitave të ligjit “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, vihet re një mangësi në rregullimin e situatës së mosekzekutimit të dënimit me gjobë nga personi juridik. Në praktikë mund të krijohen situata të tilla që personi juridik i dënuar me gjobë t’i shmanget pagimit të saj. Në rastin e dënimit të një personi fizik çështja është më e thjeshtë, pasi parashikohet shprehimisht se në rast mospagimi të gjobës do të bëhet konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim. Në Australi, me ligjin për gjobat “The Fines Act 1996” parashikohet në mënyrë të shprehur se: konvertimi i dënimit nga gjobë në një dënim tjetër si burgimi, puna në interes publik, heqja e licencës, etj. aplikohen si për personin fizik ashtu edhe për personin juridik. Ndërkohë legjislacioni kroat, ka gjetur një zgjidhje tjetër për të rregulluar problemet që mund të lindin gjatë ekzekutimit të dënimit me gjobë ndaj personit juridik, duke parashikuar se në rast se gjoba nuk paguhet nga personi juridik vullnetarisht brenda afatit të caktuar, atëherë dënimi do të ekzekutohet forcërisht.Në kushtet kur ligji shqiptar “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” nuk e rregullon këtë problem, është e pamundur që t’i referohemi eksperiencës Australiane e cila njeh mundësinë e konvertimit të dënimit me gjobë në një dënim tjetër. Në këtë përfundim arrihet duke patur parasysh faktin se sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë njihet konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim, gjë që është e mundshme vetëm për personat fizikë dhe jo për personin juridik, pasi është objektivisht e pamundur të burgosësh një person juridik. Pavarësisht se eksperienca Australiane më duket shumë interesante, legjislacioni ynë aktual nuk na e njeh mundësinë që të konvertojmë dënimin me gjobë të personave juridikë në një dënim tjetër, në rast se personi juridik nuk e ekzekuton dënimin me gjobë që i është caktuar nga gjykata në rastin e kryerjes së një vepre penale.Prandaj, sa më sipër, është më e mundshme për kushtet e Shqipërisë të praktikohet ekzekutimi forcërisht i dënimit me gjobë, siç është parashikuar dhe nga ligji kroat, duke vendosur sekuestrimin mbi pasuritë e personit juridik, në masën e nevojshme për ekzekutimin e dënimit me gjobë të tij. Në rast se pasuritë e sekuestruara të personit juridik nuk janë të mjaftueshme për ekzekutimin e dënimit të tij me gjobë, atëherë është e justifikueshme që ndaj tij, kreditori, në këtë rast shteti, të kërkonte hapjen e procedurës së falimentimit sipas rregullave të parashikuara nga ligji “Për falimentimin”. Në këtë mënyrë, tërthorazi edhe në

legjislacionin shqiptar pranohet konvertimi i dënimit me gjobë me një dënim tjetër dhe konkretisht, me mbarimin indirekt të personit juridik. Një tjetër problem që duhet trajtuar është bashkimi i dënimeve të personit juridik. Në rast dënimi të një personi juridik me gjobë për dy vepra penale të ndryshme, në çfarë mase do të aplikohet gjobaë Pra gjoba që do të aplikohet pas bashkimit të dënimeve deri në çfarë mase duhet të shkojëë Ky problem nuk rregullohet nga ligji, por është me vend t’i referohemi Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, konkretisht nenit 55 të tij ku është rregulluar caktimi i dënimeve për disa vepra penale. Sa më sipër rregulli i parashikuar nga neni 55/2 i Kodit Penal se: “dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë”, do të gjejë zbatim edhe në rastin e dënimit të personit juridik me gjobë për kryerjen e më shumë se një vepër penale. Një parashikim shumë interesant i ligjit kroat është fakti se ndryshe nga legjislacioni ynë, ai parashikon mundësinë e mosekzekutimit të dënimit me gjobë dhe vënien në provë të personit juridik të dënuar në rast se ekzistojnë kushtet e mëposhtme: • personi juridik nuk kryen një vepër penale tjetër brenda afatit që i është caktuar nga gjykata, i cili nuk duhet të jetë më i shkurtër se një vit dhe jo më i gjatë se tre vjet. • Personi juridik akuzohet për një vepër penale e cila dënohet në maksimum deri në tre vjet, dhe gjykata ka caktuar një dënim me gjobë ndaj personit juridik deri në 50.000,00 kuna. Vënia në provë e të dënuarit parashikohet dhe nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, por duhet theksuar se parashikohet vetëm si alternativë e dënimit me burgim dhe jo i llojeve të tjera të dënimeve penale. Prandaj sipas legjislacionit aktual shqiptar është e pamundur që të mund të zbatojmë eksperiencën kroate, të vënies në provë të personit juridik të dënuar.

-Mbarimi i personit juridik. Mbarimi i personit juridik është dënimi tjetër kryesor i parashikuar nga ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” dhe njëkohësisht është dhe dënimi më i rëndë. Me marrjen fund të personit juridik do të kuptojmë dhënien fund të ekzistencës së tij. Ligji “Për përgjegjësinë penale të personit juridik”, në nenin 12 të tij, parashikon se mbarimi i personit juridik do të aplikohet si masë dënimi penal vetëm në rast se: • personi juridik është themeluar me qëllim kryerjen e veprës penale; • ka përdorur në një masë të rëndësishme fushën e veprimtarisë së tij për t’i shërbyer kryerjes së veprës penale; • kanë ardhur pasoja të rënda nga kryerja e veprës penale; • kur vepra penale është kryer më shumë se një herë; • për rrethana të tjera rënduese të parashikuara nga neni 50 i Kodit Penal. Me vendimin e gjykatës që dënon personin juridik me mbarimin e tij, fillon menjëherë procedura e likuidimit për personin juridik, dhe me përfundimin e kësaj procedure, personi juridik nuk do të ekzistonte më. Neni 35 i Kodit Civil parashikon se: “personi juridik mbaron sipas mënyrës së caktuar në aktin e krijimit, në statut ose në ligj”. Në rastin e mbarimit të personit juridik, si rezultat i dënimit penal të tij, jemi përpara mbarimit të tij për shkak të ligjit, si rezultat i kryerjes

së veprës penale. Në nenin 38 të Kodit Civil parashikohet se: “kur personi juridik mbaron për shkak se ka zhvilluar veprimtari të kundërligjshme, pasuria e mbetur pas likuidimit, i kalon shtetit”. Nga përkufizimi i veprës penale, kuptohet se ajo është një veprimtari e kundërligjshme, si rrjedhojë, në rast se vepra penale është kryer nga një person juridik, do të gjejë zbatim neni i sipërcituar i Kodit Civil dhe pasuria e mbetur pas likuidimit të personit juridik do të kalojë në favor të shtetit. Pavarësisht se në ligjin “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” nuk është parashikuar shprehimisht mënyra e mbarimit të personave juridikë, ai mund të mbarojë në dy mënyra: • Direkt, duke i zhvendosur asetet e personit juridik në duart e shtetit, është rasti kur gjykata në kushtet kur ekziston një nga pesë rastet e përmendura në nenin 12 të ligjit “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, vendos dënimin e personit juridik me mbarimin e tij. • Indirekt, është rasti kur gjykata nuk ka vendosur mbarimin e personit juridik, por duke I vendosur një gjobë në një shkallë të tillë sa e zhvesh atë nga të gjitha asetet e tij, sa personi juridik falimenton në pamundësi për të ekzekutuar dënimin. Në këto kushte, personi juridik mbaron për shkak të falimentimit të tij, edhe pse gjykata në çështjen në shqyrtim ka vlerësuar se nuk ishte rasti kur duhej vendosur mbarimi i personit juridik, por një dënim me gjobë do të ishte i mjaftueshëm. Pavarësisht se mbarimi i personit juridik, është në dukje një dënim kapital, i cili mund të barazohet me dënimin me vdekje të personave fizikë, ai në situata të caktuara është i nevojshëm të aplikohet pasi mund të heqë nga tregu një shoqëri tregtare e cila në mënyrë flagrante shkel rregullat e komunitetit. Pavarësisht këtij avantazhi, një shqetësim me vend në zbatimin e dënimit të mbarimit të personit juridik, është mundësia që ortakët e personit juridik të dënuar, të rikrijojnë një person juridik të ri. Pra një ortak i një personi juridik të dënuar, mund të krijojë një person juridik tjetër, i cili ushtron të njëjtën veprimtari si personi juridik i dënuar, edhe duke i vendosur një emër të ndryshëm nga i pari. Atëherë normalisht do të ngrihej pyetja: Ku qëndron qëllimi i dënimit penal, mbarimi i personit juridikë Në disa shtete, si mënyrë zgjedhjeje për parandalimin e rikrijimit të personit juridik, është parashikuar “detyrimi i gjykatës të shprehet në lidhje me dënimin për ndalimin e ortakëve për të rikrijuar një person juridik të ri në një afat të caktuar dhe ndalimin e administratorëve për të drejtuar një person juridik të ri. Ky qëndrim shkon dhe më tej duke propozuar dhe mundësinë që mund të shprehet në vendim se pavarësisht se nuk vërtetohet fajësia e personit fizik (ortak ose administrator i personit juridik), janë rrethanat të tilla që nuk e lejojnë atë të rikrijojë një person juridik të ri për një periudhë të caktuar kohe. Në këtë mënyrë nuk cenohet as e drejta kushtetuese e individëve për t’u organizuar. Gjithsesi gjykata me vendimin që ndalon ortakët të rikrijojnë një person juridik të ri i ndalon ata vetëm në rikrijimin e një personi juridik i cili ka si qëllim të kryejë të njëjtin aktivitet si personi juridik që mbaroi. Po kështu mund të ndalohen ortakët e shoqërisë tregtare të dënuar të përfitojnë ndonjë të mirë ose interes nga ndonjë person juridik tjetër i cili kryen të njëjtin aktivitet si personi juridik i mbaruar”.Duke iu referuar qëndrimit të mësipërm, arrij në përfundimin se një vendim i tillë përben një cenim të së drejtës për t’u organizuar, të parashikuar nga neni 45 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Një qëndrim i tillë është i mbështetur deri në pjesën ku, kjo e drejtë mund të cenohet si rrjedhojë e një dënimi penal, ndaj personit fizik, gjithmonë si pasojë e faktit se ai është gjetur fajtor për një vepër penale që lidhet me veprimtarinë që ai ushtron pranë një personi juridik. Ky dënim njihet dhe nga Kodi

Penal i Republikës së Shqipërisë, si një dënim plotësues, por si një dënim i përkohshëm. Pra është e papranueshme të pranosh që një person fizik, fajësia e të cilit nuk është provuar, të dënohet duke i cenuar një të drejtë kushtetuese, të drejtën e organizimit, e drejtë e cila mund të kufizohet vetëm me një dënim penal, me qëllim për të mbrojtur interesin e përgjithshëm publik. Kështu, marrim si shembull, një person fizik, i cili është njëkohësisht ortak në më shumë se një person juridik, të cilët ushtrojnë të njëjtin objekt veprimtarie. Rezulton se njëri nga personat juridikë ushtron veprimtari të kundërligjshme dhe dënohet me mbarimin e tij, ndërkohë që personi juridik tjetër me të njëjtin ortak si personi juridik i parë, kryen veprimtari të ligjshme. Nëse do të pranonim mendimin e mbajtur në raportin e mësipërm, atëherë pasojat e dënimit të personit juridik të dënuar, do të shtriheshin edhe mbi personin juridik tjetër i cili ushtron veprimtari të ligjshme. Nuk duhet harruar se këto persona juridikë, kanë personalitet juridik më vete, të pavarur nga anëtarët e tyre, dhe nga vetë njëri-tjetri. Pra përgjegjësia penale është individuale, dhe si e tillë i takon vetëm autorit të së drejtës penale, pra në këtë rast të marrë si shembull, i takon vetëm personit juridik të dënuar. I njëjti arsyetim do të vlente edhe në rastin e rikrijimit të një personi juridik nga i njëjti ortak me të njëjtën veprimtari. Gjithsesi duhet patur parasysh se personi juridik që krijohet pas mbarimit të personit juridik të parë, është një person juridik i ri, me një personalitet juridik të ri dhe me kapital të ndryshëm nga kapitali i personit juridik të dënuar, pasi ai ka kaluar në favor të shtetit. Sa më sipër, në rast se anëtarët e personit juridik të dënuar ose administratorët e tij, nuk janë dënuar me një nga dënimet plotësuese të parashikuara nga nenet 39 e 40 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ata nuk mund të ndalohen të krijojnë një person juridik i cili ka të njëjtin objekt veprimtarie si personi juridik i dënuar.Përveç sa më sipër, duhen sqaruar dhe disa elementë proceduralë dhe, konkretisht, gjykatën kompetente për likuidimin e personit juridik të dënuar me mbarimin e tij. Neni 12 i ligjit “Për përgjegjësinë e personit juridik” parashikon se: “Vendimi për mbarimin e personit juridik realizohet nëpërmjet procedurave për likuidimin e detyruar të tij nga organet kompetente, sipas ligjit”. Pra likuidimi i personit juridik bëhet nga gjykata e shkallës së parë, vendimi i së cilës duhet të depozitohet në zyrën e regjistrit, me qëllim që të bëhet çregjistrimi i shoqërisë nga regjistri tregtar.Në përfundim duhet patur parasysh individualizimi i dënimit, në mënyrë që të caktohet një dënim sa më efektiv dhe brenda kufijve të parashikuar nga ligji për veprën penale konkrete. Me individualizimin e dënimit gjykata hyn në një plan konkret duke zgjedhur nga sistemi i dënimeve një lloj dënimi konkret, për një vepër penale konkrete, në ngarkim të një personi konkret. Caktimi nga gjykata, i llojit dhe masës së dënimit penal, është një proces kompleks. Në këtë proces, në mënyrë që dënimi t’i përmbushë të gjitha qëllimet e tij, gjykata duhet të ketë parasysh shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe të autorit të saj, rrethanat rënduese dhe lehtësuese. Për sa i përket rrezikshmërisë së veprës penale, mjafton t’i drejtohemi Kodit Penal, në pjesën e posaçme të tij ku ka parashikuar veprat penale duke i kategorizuar ato sipas objektit grupor. Në varësi të rrezikshmërisë së veprës penale janë përcaktuar dhe kufijtë minimalë dhe maksimalë të dënimit për veprën penale konkrete.Ndryshe nga rrezikshmëria e veprës penale, rrezikshmëria e autorit të veprës penale, është një element subjektiv i cili provohet gjatë hetimeve, duke analizuar veprimtarinë e personit juridik, shkallën e fajësisë së tij në veprën penale dhe pasojën e ardhur si rezultat i veprimeve të tij. Një fakt që duhet mbajtur parasysh nga gjykata është reputacioni i personit juridik i cili është po aq i rëndësishëm sa edhe personaliteti i personit fizik. Si faktorë që

mund të merren parasysh në vlerësimin e reputacionit të personit juridik janë: kontributi i këtij personi juridik për komunitetin, veprat e bamirësisë, fakti që ka rritur numrin e të punësuarve, etj.Si përfundim, gjykata në caktimin e dënimit duhet të mbajë parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, rrezikshmërinë e autorit, rrethanat rënduese dhe lehtësuese, rrethana të cilat janë parashikuar shprehimisht nga ligji “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” në nenet 20 e 21 të tij.